Section outline

    • Sot, burimi kryesor i lajmeve dhe informacionit janë rrjetet sociale, veçanërisht për të rinjtë. Kjo do të thotë se si botuesit e lajmeve ashtu edhe konsumatorët janë të varur nga algoritmet që përcaktojnë plotësisht llojin e përmbajtjes që do t’u shfaqet konsumatorëve. Për botuesit e lajmeve, kjo nënkupton se ata duhet të përshtatin titujt, fotografitë dhe të gjithë artikullin sipas angazhimeve, klikimeve dhe shpërndarjeve në rrjetet sociale ku e postojnë përmbajtjen.

      Algoritmet e rrjeteve sociale janë grupe llogaritjesh dhe rregullash që përdoren nga platformat për të përcaktuar cilën përmbajtje do të shohin përdoruesit në faqet e tyre. Thjeshtuar, sa më shumë kohë të kaloni duke parë një postim (foto, video, tekst, etj.), aq më shumë përmbajtje të ngjashme do të shfaqet në faqen tuaj. Nëse ndërveproni në çfarëdo forme me këtë përmbajtje (lexoni komentet, pëlqeni, komentoni, shpërndani ose e ruani), sasia e përmbajtjes së ngjashme që shfaqet do të rritet edhe më shumë. Kjo nuk kufizohet vetëm në një rrjet social. Nëse, për shembull, ndërveproni me një lloj të caktuar përmbajtjeje në Facebook, ka shumë gjasa që përmbajtje të ngjashme të shfaqen edhe në rrjetet e tjera sociale që përdorni. Platforma të caktuara përdorin informacionin që ju jepni në profilin tuaj për t’ju ofruar përmbajtje 'të përshtatshme' me lajme, bazuar në kombësinë, racën, moshën, vendbanimin, arsimimin, vendin e punës, etj. Çdo platformë e rrjeteve sociale monitoron vazhdimisht aktivitetin e përdoruesve për të përcaktuar se çfarë lloj përmbajtjeje do të ishte më interesante për ta. E gjitha me një qëllim, t’i bëjnë përdoruesit të kalojnë sa më shumë kohë në këto platforma.

      Pra, çfarë do të thotë ky qëllim për shpërndarjen dhe promovimin e përmbajtjes së lajmeve?

      Përdorimi i algoritmeve mund të tingëllojë tërheqës për disa, pasi ndihmon në renditjen më të lehtë të përmbajtjes. Megjithatë, algoritmet gjithashtu mund të përdoren për të kufizuar ose përjashtuar plotësisht opinione dhe informacion, nëse vlerësohet se një përmbajtje e tillë nuk është angazhuese për përdoruesit e synuar. Ato përdoren gjithashtu për të përcaktuar rendin dhe kohën kur përmbajtja u shfaqet përdoruesve. Kjo do të thotë se, zakonisht, informimi vetëm përmes rrjeteve sociale bën që një person të ketë një këndvështrim të njëanshëm dhe të kufizuar. Algoritmet ushqehen me paragjykimin konfirmues dhe krijojnë flluska filtri (filter bubbles), duke përforcuar modelet e sjelljes së përdoruesve dhe duke kufizuar mendimin kritik.

      SHEMBUJ NGA PRAKTIKA
      Zgjedhjet presidenciale në SHBA janë zakonisht zgjedhjet më të ndjekura në botë. Ato janë aq të njohura saqë janë kryer studime mbi mënyrën se si qytetarët
      e vendeve të tjera do të votonin nëse do të ishin qytetarë amerikanë. Si rrjedhojë, ndikimi i algoritmeve në politikë zakonisht hulumtohet përmes këtyre zgjedhjeve dhe qytetarëve amerikanë.

      Për shembull, studimet tregojnë se më shumë se gjysma e përdoruesve të Facebook-ut që janë hulumtuar shohin përmbajtje politike që përputhet me bindjet e tyre, ndërsa vetëm 14.7% e përdoruesve raportojnë se shohin rregullisht përmbajtje nga këndvështrime të kundërta (p.sh. liberalët që shohin përmbajtje konservatore ose anasjelltas). Për më tepër, kërkimet tregojnë se Twitter (tani i njohur si X) ndikoi ndjeshëm në uljen e votave që Donald Trump mori në zgjedhjet e viteve 2016 dhe 2020, për shkak të postimeve “liberale” që ndikuan votuesit me mendime të moderuara të mos votonin për të. Kjo tregon se rrjetet sociale mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në rezultatet zgjedhore. Nëse marrim parasysh algoritmet dhe ndikimin e tyre në kufizimin e përmbajtjes që një përdorues sheh, lind pyetja nëse rrjetet sociale duhet të jenë më të kontrolluara në raportimin e lajmeve.

      Për më tepër, algoritmet rrisin konsumimin e lajmeve të rreme. Meqenëse algoritmet bazohen në shënjestrimin e audiencës me përmbajtje për të cilën ata kanë treguar interes të lartë, kjo mund të çojë në një perceptim të shtrembëruar të realitetit dhe informacionit. Një shembull praktik u pa gjatë pandemisë COVID 19, me ndikim të madh të lajmeve të rreme rreth vaksinave dhe rritje të lëvizjes anti-vaksinim.

      Shumica e informacionit që përdorej si “argumente të vlefshme” për të mbështetur qëndrime kundër vaksinave vinte nga rrjetet sociale dhe YouTube, dhe jo nga artikuj shkencorë të rishikuar nga kolegë. Mjafton të lexosh disa prej këtyre artikujve që algoritmet e çdo platforme të nisin të 'bombardojnë' përdoruesin me përmbajtje të ngjashme, me synimin për të tërhequr vëmendjen dhe për ta mbajtur atë sa më gjatë të angazhuar në internet.

      DIVERSIFIKIMI I KONSUMIT TË LAJMEVE

      Për të shmangur efektet negative të lajmeve njëanshme, të cilat kryesisht shkaktohen nga algoritmet, siç u shpjegua më sipër, ekzistojnë disa hapa që duhen ndjekur. Para së gjithash, është e rëndësishme të theksohet se diversifikimi i konsumit të lajmeve nuk është i rëndësishëm vetëm për të marrë informacion të saktë, për të pasur burime të shumta lajmesh dhe për të lehtësuar verifikimin e saktësisë, por është gjithashtu shumë i rëndësishëm për shëndetin mendor të individit. Kur je vazhdimisht i rrethuar nga një lloj i vetëm lajmesh (veçanërisht nëse janë negative), kjo mund të ketë ndikim të rëndë në shëndetin mendor.

      Kërkimet tregojnë se konsumimi i lajmeve, sidomos i atyre sensacionaliste, mund të çojë në rritje të ndjeshmërisë ndaj ankthit, depresionit dhe prirjeve vetëvrasëse. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të theksohet se mund të bëni disa gjëra për të diversifikuar konsumimin tuaj të lajmeve:

      Vlerësoni zakonet tuaja aktuale të konsumit të lajmeve dhe përdorimit të
      rrjeteve sociale.

      Shikoni nëse po merrni informacionin dhe po lexoni lajmet vetëm nga ato që shfaqen në faqet tuaja (feeds). Shënoni temat që shfaqen më shpesh dhe shikoni nëse ekziston një model që tregon se kjo vjen si pasojë e algoritmeve.

      Mendoni çfarë lloje lajmesh ekzistojnë.

      Bisedoni me familjen dhe miqtë tuaj rreth zakoneve të tyre të konsumimit të medias. Shikoni nëse ata kanë zakone të ndryshme që mund t’ju ndihmojnë të diversifikoni edhe ju tuajat. Mund të bëni gjithashtu kërkime vetjake dhe të lexoni nga media që nuk ju shfaqet shpesh ose fare në faqet tuaja të informacionit.

      Diversifikoni burimet tuaja. 

      Nuk ka asgjë të keqe nëse merrni informacionin tuaj nga rrjetet sociale. Por, të mbështetesh vetëm te rrjetet sociale për informacion nuk është e duhura. Përpiquni të diversifikoni burimet tuaja të informacionit, veçanërisht nëse arrini të gjeni burime që janë të sakta dhe që nuk kanë tendencë të shkruajnë lajme sensacionaliste vetëm për klikime dhe shpërndarje.

      Kontrolloni besueshmërinë.

      Zakonisht, disa media raportojnë për të njëjtin temë ose ngjarje. Nëse e gjeni veten të interesuar për një temë apo ngjarje të caktuar, përpiquni të lexoni për të nga burime të ndryshme, veçanërisht ato më të besueshme. Mbani mend: nëse vazhdoni të hapni artikuj që paraqesin vetëm një këndvështrim për çështjen, vetëm ato artikuj do t’ju shfaqen më pas. Ndonjëherë duhet të kërkoni vetë këndvështrimin e kundërt nëse dëshironi të keni një pasqyrë të saktë dhe të formoni një mendim të plotë mbi çështjen.

      Sigurohuni që të jetë i dobishëm për ju.

      Përpiquni të përqendroheni te lajmet që ju interesojnë, nga burime të besueshme. Lajmet sensacionale zakonisht shfaqen në rrjetet sociale sepse tërheqin më shumë klikime dhe shpërndarje, edhe nëse lexuesit nuk janë realisht të interesuar për temën. Prandaj, qëndroni brenda fushave tuaja të interesit dhe mbani parasysh nëse qëlimi i artikulit është t’ju informojë apo thjesht t’ju nxisë të klikoni dhe ta shpërndani më tej.

      Ka disa pyetje që mund t’i bëni vetes (dhe të tjerëve) për të kontrolluar nëse po diversifikoni konsumimin tuaj të lajmeve:

      • A po përdor një gamë të gjerë burimesh të ndryshme?

      • A janë lajmet që po lexoj me të vërtetë interesante për mua?

      • A jam i vetëdijshëm që, edhe pse lajmet e bujshme mund të jenë interesante, emocionuese ose irrituese, ato gjithashtu mund të jenë të rreme?

      • A janë lajmet që po lexoj të mirë-hulumtuara, të besueshme dhe të mbështetura në burime legjitime?

      • A po përdor aplikacione dhe botues të ndryshëm për të marrë lajmet?


      Dhe, ndonjëherë, thjesht të duhet një pushim.

    • Ju lutem, gjeni këtu prezantimin në PowerPoint për Mësimin 3, me titull “Si të Lundrosh Lajmet në Epokën e Mediave Sociale”.

    • Algoritmet dhe Lajmet Cilësore – si mund të sigurojmë që algoritmet të identifikojnë dhe të promovojnë gazetarinë e pavarur, të bazuar në fakte?

      Studimet mbi Zgjedhjet e vitit 2020 zbulojnë fuqinë e algoritmeve të Facebook dhe Instagram – kërkime të publikuara në Science dhe Nature, pjesë e projektit më gjithëpërfshirës shkencor deri më sot që shqyrton rolin e mediave sociale në demokracinë amerikane.

      Ndikimi i Mediave Sociale në Zgjedhje: Dëshmi nga Shtetet e Bashkuara– një studim elektronik mbi mënyrën se si mediat sociale ndikojnë në rezultatet zgjedhore në Shtetet e Bashkuara.

      Si e formëson algoritmi i News Feed-it të Facebook-ut hezitimin ndaj vaksinave tek fëmijët – për të ulur efektivitetin e dezinformimit dhe keqinformimit mbi vaksinat, është thelbësore të edukohet publiku mbi mënyrën se si algoritmet e rrjeteve sociale marrin vendime për shfaqjen e përmbajtjes.

    • Vini në praktikë aftësitë tuaja të shkrim-leximit mediatik duke plotësuar këtë kuiz të shkurtër me 10 pyetje mbi rolin e algoritmeve dhe mediave sociale.

       
    • Ky modul shqyrton rolin e algoritmeve të mediave sociale në formësimin e përmbajtjes që përdoruesit hasin në platformat digjitale. Algoritmet ndikojnë në shpërndarjen e gjithë informacionit online, përfshirë diskursin politik, dhe mund të kontribuojnë në përhapjen e keqinformimit. Pjesëmarrësit do të analizojnë se si këto algoritme krijojnë “flluska informacioni”, përforcojnë paragjykimet dhe ndikojnë në opinionin publik. Gjithashtu, moduli do të prezantojë strategji praktike për të njohur manipulimin algoritmik dhe për të larmishuar burimet e lajmeve, me qëllim përmirësimin e edukimit mediatik dhe mendimit kritik.