HYRJE
Në botën digjitale të sotme, të dallosh faktin nga trillimi është thelbësore. Në këtë mësim, do të mësoni si të identifikoni “lajmet e rreme” dhe të kuptoni dallimin midis dezinformimit dhe keqinformimit. Do të shohim shembuj konkretë dhe do të praktikojmë aftësi që ju ndihmojnë të dalloni informacionin mashtrues.
Objektivat
Në fund të këtij mësimi, do të jeni në gjendje të:
- Të përkufizoni lajmet e rreme, dezinformimin dhe keqinformimin.
- Të identifikoni shembuj të dezinformimit dhe keqinformimit.
- Të përdorni mjete praktike për të verifikuar informacionin dhe për të vlerësuar besueshmërinë e tij
PËRKUFIZIME DHE KONCEPTE KRYESORE
Një nga sfidat më të mëdha në botën e sotme të mbushur me informacion është sigurimi që informacioni që gjeni të jetë i besueshëm. Keqinformimi dhe paragjykimet janë të përhapura, prandaj është thelbësore të kontrolloni dhe të krahasoni faktet që hasni. Ky proces përfshin verifikimin e informacionit nga burime të shumta për të siguruar përputhshmëri dhe saktësi.
- Lajme të Rreme-Informacion i rremë i paraqitur si lajm, mund të përhapet përmes medias tradicionale ose rrjeteve sociale.
- Dezinformim-Informacion i rremë që krijohet qëllimisht për të mashtruar njerëzit.
- Keqinformim-Informacion i pasaktë që shpërndahet pa qëllim të keq, zakonisht si rezultat i një gabimi ose keqkuptimi.
Shembull:
Imagjinoni që shihni një postim në rrjete sociale që pretendon se një personazh i famshëm po heq dorë nga karriera për të nisur një biznes të ri në vendin tuaj. Nëse kjo është thjesht një thashethem i shpërndarë pa verifikim të fakteve, atëherë kemi të bëjmë me keqinformim. Por nëse dikush e ka krijuar këtë histori që limisht për të promovuar një produkt të palidhur, duke përdorur emrin e të famshmit, atëherë kemi të bëjmë me dezinformim.
PSE KRIJOJNË DHE SHPËRNDAJNË NJERËZIT LAJME TË RREME?
Lajmet e rreme mund të përhapen për shumë arsye:
- Fitim financiar: Disa njerëz krijojnë lajme të rreme për të tërhequr klikime dhe për të fituar para nga reklamat.
- Agjendë politike: Dezinformimi mund të përdoret për të ndikuar opinionin publik ose për të manipuluar rezultatet e zgjedhjeve.
- Argëtim ose humor: Lajmet satirike ndonjëherë mund të ngatërrohen me lajme të vërteta nëse nuk janë të etiketuara qartë.
Aktivitet:
Mendoni për një shembull të kohëve të fundit kur keni parë ose dëgjuar diçka që rezultoi të ishte e rreme. A u shpërnda me qëllim (dezinformim), apo ishte një gabim (keqinformim)? Cili mendoni se mund të ketë qenë qëllimi pas saj?
IDENTIFIKIMI I DEZINFORMIMIT DHE KEQINFORMIMIT
Lajmet e rreme mund të jenë të vështira për t’u dalluar, sidomos kur janë krijuar për të ngjarë si lajme të besueshme. Ja disa shenja që mund t’ju ndihmojnë:
- Burime të Dyshimta: A vjen informacioni nga një burim i njohur dhe i besueshëm? A është nga një faqe që njihet për përhapjen e lajmeve sensacionaliste apo të ekzagjeruara? Tituj të Ekzagjeruar: Tituj si “Tronditëse!” ose “E pabesueshme!” shpesh përpiqen të tërheqin vëmendjen, por jo gjithmonë janë të besueshëm.
- Gjuha Emocionale: Artikujt që përpiqen t’ju bëjnë të ndiheni të zemëruar ose të frikësuar mund të jenë duke përdorur emocionin për të ndikuar në perceptimin tuaj.
- Mungesa e Provave: Lajmet e besueshme përmbajnë burime ose prova që mbështesin pretendimet e tyre. Nëse nuk ka prova, tregohuni të kujdesshëm.
Rast studimor:
Merrni parasysh një shembull të kohëve të fundit nga rajoni: gjatë pandemisë, u përhapën gjerësisht thashetheme për kura mrekullibërëse kundër COVID-19. Shumë postime në rrjetet sociale pretendonin se ushqime apo suplemente të caktuara mund të “shëronin” COVID-19. Shpesh, këto pretendime ishin dezinformim, të krijuara nga individë që dëshironin të shisnin produkte të caktuara. Herë të tjera, ato ishin keqinformim, të shpërndara nga persona që besonin në kurë pa e verifikuar informacionin.
MJETE PRAKTIKE PËR VERIFIKIMIN E INFORMACIONIT
Këto teknika të thjeshta mund t’ju ndihmojnë të kontrolloni nëse një informacion është i besueshëm:
1. Faqe për Verifikimin e Fakteve:
- Faktograf (Kroaci) dhe Raskrinkavanje (Serbi) janë faqe të besueshme për verifikimin e fakteve që mund t'ju ndihmojnë të kontrolloni vërtetësinë e lajmeve dhe pretendimeve. Këto platforma janë anëtare të Rrjetit Ndërkombëtar të Verifikimit të Fakteve (IFCN), duke garantuar standarde të larta në punën e tyre.
- Aktivitet: Gjeni një histori aktuale online dhe përdorni njërën prej këtyre faqeve për të verifikuar nëse është e saktë. Çfarë thonë ato për këtë histori?
2. Kërkim i Kundërt i Imazhit:
- Lajmet e rreme shpesh përdorin imazhe mashtruese. Mund të përdorni funksionin e Kërkimit të Kundërt të Imazhit të Google ose faqen TinEye për të kontrolluar nëse një imazh është ndryshuar ose përdorur jashtë kontekstit.
- Aktivitet: Kërkoni një imazh që keni parë në një postim lajmi ose në rrjetet sociale.Ku tjetër shfaqet ai imazh?A është nga i njëjti event, apo është ripërdorur në një kontekst tjetër?
3. Verifikimi i Burimit:
- Kërkoni burimin origjinal të një informacioni. Nëse nuk mund të gjendet një burim i besueshëm, atëherë informacioni mund të mos jetë i besueshëm.
- Shembull: Nëse një lajm për një figurë publike nuk ka asnjë deklaratë zyrtare ose lidhje me një media të njohur dhe të besueshme, tregohuni skeptik.
LISTA PËRFUNDIMTARE PËR TË IDENTIFIKUAR LAJMET E RREME
Para se të besoni apo të shpërndani ndonjë lajm online, pyesni veten:
- Kush është burimi i këtij informacioni?
- A po përpiqet titulli të më shokojë apo të më frikësojë?
- A mund ta gjej këtë lajm edhe në faqe të tjera të besueshme?
- A ka burime apo prova që mbështesin këto pretendime?
- A e kam verifikuar informacionin në një faqe të besueshme për kontrollin e fakteve?
Përdorimi i këtyre mjeteve dhe këshillave mund t’ju ndihmojë të bëheni një konsumator më kritik dhe më i përgjegjshëm i informacionit. Kjo qasje do t’ju ndihmojë të dalloni lajmet e rreme, të kuptoni dallimin midis dezinformimit dhe keqinformimit, si dhe të mbroheni nga informacioni mashtrues në internet.
Mbani mend: të jesh i informuar do të thotë të jesh kritik!